Të flesh mirë nuk është gjithmonë e lehtë dhe jemi të sigurt se për shumë nga ju, gjumi është një sfidë më vete. Por a e dini se ekzistojnë ushqime që nxisin gjumin dhe që mund t’ju ndihmojnë të keni një natë më të qetë?
Ekzistojnë disa kimikate, enzima, aminoacide dhe lëndë të tjera ushqyese që na ndihmojnë të biem dhe të qëndrojmë në gjumë dhe fatmirësisht mund të gjejmë shumë prej tyre në ushqime dhe pije.
Si ndikon ushqimi për një gjumë më të mirë?
Ushqimet dhe pijet që përfshijmë në dietën tonë mund të na ndihmojnë ose të bëjmë një gjumë të mirë ose të prishin plotësisht ciklin tonë natyror të gjumit. Dieta jonë ndikon në procese të shumta të trupit, si metabolizmi i energjisë dhe prodhimi normal i hormoneve, të cilat janë të lidhura me ciklin e gjumit.
Për shembull, nëse nuk po konsumoni vitaminat dhe mineralet e nevojshme që sistemi juaj hormonal të funksionojë normalisht, trupi juaj mund të mos krijojë mjaftueshëm melatonin. (hormoni që sinjalizon gjumin)
Ushqimet dhe pijet e pasura me sheqer luajnë gjithashtu një rol negativ për gjumin. Për shembull, edhe pse trupi juaj mund të ndihet i përgjumur pasi keni ngrënë një copë të madhe keku, në fakt ju sapo zvogëluat shanset për një gjumë të thellë dhe rritët numrin e herëve që do të zgjoheni gjatë natës.
Cilat ushqime ju ndihmojnë për një gjumë të mirë?
Ka një shumëllojshmëri ushqimesh dhe pijesh të ndryshme që mund të ndihmojnë për një gjumë të mirë. Duke nisur nga ushqimet e pasura me melatonin deri tek ushqimet me fibra të larta, e deri te pijet e mbushura me mikronutriente.
Disa nga ushqimet më efektive që kanë potencialin t’ju bëjnë të përgjumur përfshijnë:
*Ushqimet me melatonin!*
Melatonina është thelbësore për një gjumë të mirë gjatë natës. Ky hormon prodhohet nga gjëndra pineale (në mes të trurit) dhe i përgjigjet dritës gjatë ditës. Trupat tanë prodhojnë më pak melatoninë kur lind dielli dhe më pas rrisin prodhimin kur perëndon dielli. Kjo është dhe arsyeja pse ne zakonisht zgjohemi kur lind drita dhe ndihemi të përgjumur kur errësohet.
Disa kërkime sugjerojnë se konsumimi i ushqimeve që përmbajnë melatonin, mund të rrisë ndjeshëm përqendrimin e melatoninës në gjak dhe rrjedhimisht të ndihmojë në përmirësimin e gjumit.
Disa nga ushqimet më të njohura përfshijnë:
- Vezët
- Peshku
- Arra
- Drithëra
- Farërat
- Bishtajoret
- Ushqime të tjera bimore.
Përveç ushqimeve që përmbajnë melatoninë, ushqimet që përmbajnë lëndë ushqyese dhe mikroelemente që ndihmojnë trupin tuaj të prodhojë natyrshëm melatonin mund t’ju ndihmojnë gjithashtu të flini.
Lënda ushqyese kryesore e nevojshme për të mbështetur prodhimin e melatoninës është aminoacidi triptofan. Trupat tanë konvertojnë triptofanin në melatoninë me ndihmën e serotoninës.
Ai mund të gjendet në ushqime si: qumështi, toni, gjeli i detit, tërshëra, djathërat, arrat dhe farërat.
Një tjetër lëndë ushqyese që mendohet se mbështet sistemin e gjumit është vitamina B12, e cila kontribuon në prodhimin e melatoninës duke rritur sintezën e saj dhe numrin e receptorëve të trurit. Sipas studimeve, konsumimi i mjaftueshëm i mikronutrientëve është çelësi për një gjumë të mirë.
Gjumë të ëmbël!